Presidenti amerikan, Donald Trump ka paraqitur një padi prej 5 miliardë dollarësh kundër BBC-së, për shkak të një “montazhi” të fjalimit të tij më 6 janar të 2021-tës në një dokumentar të emisionit “Panorama”. Sipas dokumenteve gjyqësore, Trump e akuzon transmetuesin për shpifje dhe për shkelje të ligjit mbi praktikat tregtare.
BBC i kërkoi falje Trumpit muajin e kaluar, por refuzoi kërkesat e tij për kompensim dhe kundërshtoi se kishte ndonjë “bazë për një padi për shpifje”. Ekipi ligjor i Trumpit e akuzoi BBC-në se e ka shpifur atë duke “manipuluar qëllimisht, me keqdashje dhe në mënyrë mashtruese fjalimin e tij”. BBC ende nuk ka reaguar ndaj padisë.
Trump tha muajin e kaluar se planifikonte të padiste BBC-në për dokumentarin, i cili u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.
“Mendoj se duhet ta bëj,” u tha Trump gazetarëve për planet e tij.
“Ata mashtruan. I ndryshuan fjalët që dolën nga goja ime”, shtoi.
Në fjalimin e tij më 6 janar 2021, para trazirave në Kapitolin e SHBA-së, Trump i tha turmës: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do t’i përkrahim senatorët dhe kongresmenët e guximshëm”.
Më shumë se 50 minuta më vonë në fjalim, ai tha: “Dhe ne luftojmë. Luftojmë fort”.
Në programin Panorama, një klip e paraqiste atë duke thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe unë do të jem aty me ju. Dhe ne luftojmë. Luftojmë fort”.
BBC pranoi se montazhi kishte krijuar “përshtypjen e gabuar” se ai kishte “bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë”, por kundërshtoi se kishte bazë për një padi për shpifje.
Në nëntor, një memo e brendshme e rrjedhur e BBC-së kritikoi mënyrën se si ishte montuar fjalimi dhe çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, si dhe të shefes së lajmeve, Deborah Turness.
Para se Trump të ngrinte padinë, avokatët e BBC-së kishin dhënë një përgjigje të gjatë ndaj pretendimeve të presidentit. Ata thanë se nuk kishte keqdashje në montazh dhe se Trump nuk ishte dëmtuar nga programi, pasi ai u rizgjodh pak kohë pasi dokumentari u transmetua.
Po ashtu, ata thanë se BBC nuk kishte të drejta dhe as nuk e kishte shpërndarë dokumentarin Panorama në kanalet e saj në SHBA. Ndërsa dokumentari ishte i disponueshëm në BBC iPlayer, ai ishte i kufizuar vetëm për shikuesit në Mbretërinë e Bashkuar.
Në padinë e tij, Trump përmend marrëveshje që BBC kishte me shpërndarës të tjerë për transmetimin e përmbajtjes, konkretisht një marrëveshje me një korporatë mediatike të palës së tretë, e cila pretendohet se kishte të drejta licencimi për dokumentarin jashtë Mbretërisë së Bashkuar. BBC ende nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve, ashtu si as kompania që dyshohet se ka pasur marrëveshjen e shpërndarjes.
Padia gjithashtu pretendon se njerëz në Florida mund ta kenë parë dokumentarin duke përdorur VPN ose përmes shërbimit të transmetimit BritBox.
“Publiciteti i dokumentarit Panorama, i shoqëruar me rritje të ndjeshme të përdorimit të VPN-ve në Florida që nga debutimi i tij, dëshmon mundësinë e madhe që qytetarët e Floridës ta kenë aksesuar dokumentarin para se BBC ta largonte atë”, thuhet në padi.
Kreu i Liberal Demokratëve, Sir Ed Davey, i ka bërë thirrje kryeministrit që t’i thotë Trumpit se vendimi i tij për të paditur BBC-në është “i papranueshëm”.
“Keir Starmer duhet të dalë në mbrojtje të BBC-së kundër kërcënimit të tepruar ligjor të Trumpit dhe të mbrojë paguesit e taksës së licencës nga goditja financiare”, tha ai.









