Çlirim Haziri, organizator i protestave “Jo në emrin tim”, nuk ka dhënë shenja se protestat do të rikthehen pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend. Ai ka thënë se do ta monitorojnë me kujdes procesin deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit.
Haziri ka rikujtuar se për 21 ditë e 21 net kanë qëndruar në shesh me kërkesën që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka thënë se vetë kanë kërkuar që ligji të ndryshohet ose përmirësohet nëse ka nevojë, duke theksuar se synimi nuk ka qenë miratimi i një ligji vetëm sa për t’u votuar.
“Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real”, ka shkruar Haziri.
Sipas tij, nuk ka rëndësi se kush e propozon apo e voton ligjin, por përmbajtja e tij dhe efekti që mund të ketë.
“Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë”, ka paralajmëruar ai.
Në fund, Haziri ka theksuar se qëndrimi, kërkesa dhe kauza e tyre mbeten të pandryshuara.
“Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë”, ka përfunduar ai.









