Publicisti Blerim Shala, ka treguar se Presidenti Amerikan, Bill Clinton, kur deshi të intervenojë ushtarakisht në Kosovë iu kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij se nuk e di se si do të ndahen nga lufta në Kosovë, nuk e di çfarë bënë Rusia, por ia vlen që të sakrifikojë edhe karrierën e tij që të çlirohet populli i Kosovës.
“Kur vjen momenti kapital i vendimmarrjes për luftë, Bill Clinton i ka mbledhë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ju ka thënë: shikoni, nuk e di se si do të ndahemi me këtë luftë. Nuk e di, sepse ka shumë të panjohura sa i përket forcës ushtarake të Serbisë dhe eventualisht ndihmës së Rusisë ndaj Serbisë. Por, një gjë e di, kjo është luftë e drejtë. Ia vlen të sakrifikojë edhe karrierën time që në fund populli shqiptar të çlirohet”, tha Shala në emisionin VOX DATA me gazetarin Lirim Mehmetaj.
“Dhe ka qenë një vendim kapital i Administratës së Presidentit Clinton. Normalisht se ka pasë gjeneralin Clark që mezi ka prit si komandant i NATO-s që të ndërmarrë këtë veprim. Dhe ka pasë Javier Solana një diplomat spanjoll, të karrierës, i cili në aspektin e raporteve me Kosovën, për imponimin e paqes në Ballkan, dhe raporti i tij me Amerikën ka qenë i shkëlqyeshëm, mund të them. Edhe Holbrooke, gjithsesi”, shtoi ai.
Shala theksoi se ka qenë një elitë politike në Evropë dhe në Amerikë veçmas, “pa të cilën mund të themi ne ditë e natë fjalë të ndryshme, por pa të cilën nuk do të mbërrihej kurrë që NATO të intervenon për hir të shpëtimit të popullit të Kosovës dhe pastaj të krijohet ambienti që Kosova të bëhet shtet i pavarur”.








