Publicisti Blerim Shala ka treguar se kur Presidenti amerikan, George W. Bush, kishte shkruar në Bruksel në vitin 2005 dhe u kishte thënë evropianëve se “për temën e Kosovës, besoj jemi në një mendje”, ata e kishin pyetur se “cili është propozimi i juaj”, dhe Bush i ishte përgjigjur shkurt: “Kosova shtet i pavarur”.

Këto komente, Shala i ka bërë në emisionin VOX DATA me gazetarin Lirim Mehmetaj, derisa po flisnin për rolin jetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

“Amerikanët, çdo administratë, si e Bush-it plak, si e Clinton-it, si e Bushit të ri, kur e kanë marrë vendimin se derisa të merret vendimi ka proces të konsultimeve intensive, ka dilema. Por, kur të merret vendimi njëherë, atëherë shkohet deri në fund. Në rastin e Kosovës, bile Kosova ka shërbyer si pretekst, sepse administrata e parë e Presidentit Bush të ri ka pasë probleme me Evropën, shkaku i luftës në Irak, të kujtohet. Ka qenë ajo pakënaqësia goxha e ftoftë”.

“Edhe ai ka ardhë në shkurt të vitit 2005, Presidenti Bush, në Bruksel edhe i ka çelë disa tema edhe ka thënë: shiko, për temën e Kosovës besoj që jemi të të njëjtit mendim. Ata kanë thënë: cili është propozimi juaj? Shtet i pavarur. Kanë thënë: po”, tha Shala.

Një prej temave që SHBA-të dhe Evropa kanë mundur të bashkëpunojnë në atë kohë, Shala thotë se ka qenë statusi i Kosovës.

“Por, pa amerikanët, pa ambasadorin [Frank] Wisner, duhet me përmend që ka qenë Emisar Special i administratës së Bushit të riut, nuk do të mbërrinim kurrë aty, sepse ata kanë qenë vendimtarë edhe në shtyrjen e proceseve të rëndësishme, të cilat ne nuk i kemi ditë atëherë. Ta zëmë emërimin e Ahtisaarit për emisar special. Të mos kishin qenë amerikanët e deri diku edhe anglezët, do ta emëronin dikë tjetër dhe kushedi si do të sillej puna”, deklaroi ai ndër të tjera.