Kryeministri në detyrë, Albin Kurti,  e ka quajtur “një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e shtetit” ditën kur Gjykata Ndërkombëtare  e Drejtësisë, vulosi faktin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës “nuk e shkelte Të Drejtën Ndërkombëtare” – këtë të mërkurë (22 korrik), kur shënohen 16 vjet nga ky vendim. Sipas Kurtit, verdikti i GJND-së “ishte moment që i dha fund pretendimeve kundër shtetësisë së Kosovës”.

Por, ishte vetë Kurti dhe partia e tij, ata që katër ditë pas vendimit të GJND-së, thoshin se i njëjti “nuk implikon përfundimin se shpallja e Pavarësisë ishte në përputhje me ligjet ndërkombëtare”.

Në revistën javore të kësaj partie, të botuar më 26 korrik 2010, në një shkrim me titullin opinioni i GJND-së, ndër të tjera thuhej: Gjykata vetëm ka shpjeguar se nuk ka norma pozitive të së drejtës ndërkombëtare të cilat e sanksionojnë shpalljen e Pavarësive apo ndalimin e tyre. Konstatimi se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel të drejtën ndërkombëtare”, nuk implikon përfundimin se kjo shpallje është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, sepse e drejta ndërkombëtare në përgjithësi nuk i parasheh procedurat e ligjshme të krijimit të shteteve.

FOTOGRAFI E REVISTËS:

Praktikisht, përmes këtij shkrimi, Vetëvendosje aso kohe thoshte se vendimi i GJND-së, nuk ishte “vulë” se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me Ligjet Ndërkombëtare.