Ish-asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hamit Kastrati, ka thënë se ka qenë në takim me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin, por thotë se nuk është në dijeni se kush e ka bërë audio-incizimin që e ka publikuar VOX Kosova, ku Lladrovci dëgjohet duke biseduar me biznesmenin Labinot Halilaj, për ndërtime banesash në një prone komunale.

“Po, kemi qenë në takim. Audio-incizimin nuk jemi në dijeni se kush e ka bërë, dikush prej tyre e ka bërë. Dikush prej tyre, Labi”, tha Kastrati për VOX-in.

Edhe Arigon Sinani, ish-asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, njëherit kandidat për asamble në këtë qytet në zgjedhjet komunale të 12 tetorit, e ka mohuar se ai e ka bërë audio-incizimin

Në një deklaratë për VOX Kosova, Sinani e ka pranuar, ashtu siç ka thënë Lladrovci, se “po, pjesë e takimit kam qenë”, por thekson se audio-incizimin “s’e kam bërë unë”. “100 për qind jam i sigurt që nuk e kam bërë”, deklaroi Sinani.