Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike mblodhi edhe një herë delegatët e kësaj partie për ta vënë në provë Lumir Abdixhikun si kryetar të saj.

Para se të nisë zyrtarisht kuvendi, shumë delegatë të LDK-së u deklaruan para mediave, duke mos dhënë shumë detaje për qëndrimin e tyre, nëse janë pro apo kundër Lumir Abdixhikut.

Gjithsesi, ata që u shprehën më hapur ishin Armend Zemaj dhe Imri Ahmeti.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh optimist se Abdixhiku do të shkarkohet nga posti i kryetarit.

Ndërsa, ish-sekretari i LDK-së, Imri Ahmeti, tha se shkarkimi i Abdixhikut është në të mirë të së ardhmes së partisë dhe të vendit.

E sekretari aktual i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, deklaroi se ky kuvend do ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës: votimin.

Ndërkaq, nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, u shpreh: “Të gjejmë rrugën më të mirë, që këtë kërkesë, duke e realizuar, të kalohet në kërkesën e dytë, që është po ashtu e rëndësishme: shtetndërtimi, institucionet e Republikës dhe krejt çka lidhet me të ardhmen e Republikës.”

Ndërsa ai për të cilin është thirrë ky Kuvend i Jashtëzakonshëm, Lumir Abdixhiku tha se pasi të përfundoj procesi do të mbajnë një konferencë për media.