Lumir Abdixhiku duhet ta shërojë vetën nga idetë e magjisë së shtrigave, sikur një komplot i madh po organizohet rreth tij.
Përveç Vetëvendosjes, që e dëshiron LDK-në e vogël, sepse ashtu rri e madhe ajo vetë, gjithkush tjetër sot në Kosovë e kërkon një LDK që rritet, sepse fitohet një Vetëvendosje që bie.
Siç tregojnë edhe sondazhet e UBO-s ndër vite, e vetmja herë kur Vetëvendosja kishte prekur shifrën 32 për qind ishte atëherë kur LDK-ja shkonte te 20 për qind.
Pra veç një aktor preket nga rritja eventuale e LDK-së, Vetëvendosja. Vec një aktor është i interesuar ta mbajë LDK-në poshtë, Vetëvendosja, veç një aktori i intereson një LDK me rezultate të dobëta e pa ndryshime, Vetëvendosjes.
Dhe kur Lumir Abdixhiku me disko-politikën e tij nuk tregon trohë gatishmërie për reflektim, derisa kërkon konformizëm të tmerrshëm e servilizëm pakushte brenda partisë, veç një aktori i shërben, Vetëvendosjes.
Rezultati skandaloz i zgjedhjeve të fundit i Lumir Abdixhikut ku brenda pak muajsh humbi afër 50 mijë vota i kërkon atij me patjetër të sakrifikojë diçka.
Dhe në vend të sakrificës personale, të largimit me dinjitet, duke u qëndruar standardeve të cilat i proklamonte me aq krenari kur erdhi në krye të partisë, ai ka vendosur ta sakrifikojë të vërtetën e bashkë me të edhe partinë.
S’ka diskutim vetë anëtarëve të LDK-së u takon ta vendosin fatin e partisë, ama ne të tjerëve na takon të mos e sakrifikojmë të vërtetën për përfitimet eventuale të Lumir Abdixhikut.
Sa për ta bërë të qartë qysh në fillim, largimi i Lumir Abdixhikut nuk garanton kurrfarë mrekullie, por jep shanse, sepse Lumir Abdixhiku nuk humbi se provojë diçka e nuk funksionoi, ai humbi sepse nuk provoi asgjë.
Dhe kur i kërkohet llogaria që vetë e garantonte Abdixhiku, nuk është se vendosim ne diçka, por thjesht ngrehim një pasqyrë ku Abdixhiku mund ta shoh reflektimin e humbjes së vet, përtej atyre servilëve me mendje të rrëzume e shpirt të korruptuar, që i thonë “mirë e ki kryetar”.
Normalisht, në një ambient të sëmur politik e atmosferë të deformuar morale rrena e mashtrime si këto edhe tolerohen, por ideja ishte që mjaftueshëm e kemi Vetëvendosjen për barbaritet në politikë.
Si fillim, çështjen e dorëheqjes e ngriti vetë Abdixhiku, natën e zgjedhjeve, kur i thyer nga rezultati deklaroi se të gjitha janë për diskutim “në kuvendin e përgjithshëm, normalisht edhe dorëheqja pa diskutim”.
Dhe çfarë po thoshte këtu ishte në përputhje të plotë me atë çfarë kishte deklaruar në fjalimin e tij të parë kur ishte zgjedhur kryetar.
Aty pohonte, se kur humbë LDK-ja, ndonëse arsyet mund të jenë të shumta… “arsyen e vërtetë dhe të vërtetën e vetme e gjejmë tek vetvetja”.
A u pagua nga dikush Abdixhiku kur kërkonte aty t’i gjejë arsyet tek vetja dhe a u pagua edhe pas rezultatit të zgjedhjeve kur ofronte edhe dorëheqjen?
Jo.
Atëherë përse qenkan mercenarë e të paguar ata që thonë saktësisht të njëjtën?
Por, problemi i Lumir Abdixhikut nuk është veç ky rezultat i dobët i zgjedhjeve, është filozofia që e ka çuar te ky rezultat dhe kjo shihej qysh në start.
Së pari, besoj iu ka rënë në sy statusi i para disa ditësh i Lumir Abdixhikut i cili derisa fliste për LDK-në, pos tjerash, shkroi edhe se “Kjo shtëpi e ka anëtarësinë që e do pa kushte; që e mbronë nëpër ditë të vështira, nëpër sulme, nëpër zhgënjime”.
E vërtetë, por ti nuk je ai njeri. Ti nuk je ai anëtar.
Madje, në ditët më të rënda të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur e njëjta u tradhtua nga Albin Kurti, i cili ia dhunoi marrëveshjen politike duke ia shkarkuar një ministër pa njoftim paraprak, Lumir Abdixhiku, si përfaqësues i LDK-së në koalicion, nuk pati asnjë kritikë të vetme për Kurtin.
Pra nuk e deshi pa kushte. Nuk e mbrojti nëpër sulme.
Bile, në kohën kur Kurti akuzonte LDK-në për prishje të koalicionit, paçka se vetë e inicioi meqë i duhej politikisht, Abdixhiku në seancën e gjatë të 25 marsit 2020 nuk e foli asnjë fjalë në mbrojtje të partisë.
Ai më pas, vazhdoi distancimin nga partia duke refuzuar të bëhej pjesë e kabinetit qeveritar të bashkëpartiakut të tij.
Dhe kur partia e tij arriti marrëveshje fenomenale në Uashington me presidentin Donald Trump, Abdixhiku prapë refuzoi t’i jap kreditë.
Marrëveshje që më vonë, u vlerësua vetë nga Vjosa Osmani, dihet ajo kur ishte arritur e kishte konsideruar si marrëveshje të tradhtisë për Kosovën.
Pra në këtë kohë, dallimi i vetëm mes Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit ishte se ajo doli edhe zyrtarisht me Vetëvendosjen, kurse ky vazhdoi të qëndroi në LDK-së, por assesi të thoshte një fjalë të vetme negative kundrejt Kurtit.
Edhe më shumë, pasi u bë kryetar, ai filloi kritika të rënda për LDK-në, në funksion kjo të rrëfimit të Albin Kurtit se si LDK-ja ia prishi qeverinë “midis pandemisë”.
Lumir Abdixhiku, po të kishte pak dije politike, ama veç pak, do të duhej ta kuptonte se LDK-ja me atë prishje të asaj qeverie, formimin e të resë, shkuarjen në Uashington, nënshkrimin e marrëveshjes dhe paraqitjen si partner serioz e i besueshëm para një presidenti atipik si Donald Trump-i do shënonte veprimin më të mençur politik e aktin më të lartë patriotik qysh prej 1993-së kur Ibrahim Rugova, përkundër presioneve, me mençuri e patriotizëm refuzoi te futej në zgjedhje në ish-Jugosllavi, sepse pjesëmarrja eventuale në zgjeshje do ta delegjitimonte gjithë procesin e sistemit paralel duke hequr dorë nga një arritje që ishte përtej simbolike dhe në anën tjetër do ta legjitimonte aparteidin që politika serbe ushtronte mbi shqiptarët e Kosovës.
Po Lumir Abdixhiku nuk i merr vesh këto, sepse në politikë ai nuk e përcjell Ibrahim Rugoven, po Albin Kurtin, prandaj ai bëhet me Kurtin e jo me filozofinë rugoviane, kur Kurti si një çaraman i përdalë çirrej në parlament se kush shkon në shtëpi të bardhë po ia futë thikë hartës së Kosovës.
Fliste kështu Kurti për një mik e një miqësi që me aq delikatesë e kultivoi Ibrahim Rugova.
Ama, Abdixhikut i dukej gabim që kurrë s’duhet përsëritur.
Akoma më shumë, Abdixhiku, për t’u dëshmuar sa i mbërthyer me logjikën politike të Albin Kurtit është, ndër veprimet e para si kryetar, shkon e degdisë Agim Velin, njeriun që paraprakisht e largon Albin Kurti nga ministria.
Por, Abdixhiku është mjeshtër për diçka dhe këtë duhet t’ia pranojmë edhe ne, siç e pranon edhe ai vetë, kur thotë: “Është mjeshtri edhe me ulë partinë”.
E vërtetë mjeshtri është o mjeshtër.
Dhe për ta aplikuar këtë mjeshtri, Lumir Abdixhiku, hapi një dosje të demel-llëkut opozitar të asaj përmase saqë në vitin 2023 fiton çmimin e merituar si deputeti me më së paku prezencë në Kuvendin e Kosovës e me më së shumti mungesa.
Sipas KDI-së që monitoron Kuvendin, “Nga 5 deputetët me mungesat më të shumta, 4 vinë nga partitë opozitare, konkretisht Lumir Abdixhiku me 44 mungesa. Normalisht aty nuk mungon as dembeli tjetër i opozitës, Memli Krasniqi.
Dhe, si akademik që është, për t’i arsyetuar këto mungesa, Abdixhiku gjen ta citojë një reper. GetoGjizin.
E më pas, argumenton, besoni ose jo, se ai mungon se është kryetar.
Shih, bekimi po edhe mallkimi i gazetarëve është përgjegjësia primare që të jenë të gatshëm t’ua thonë njerëzve çka ata s’kanë dëshirë të dëgjojnë.
Lumir Abdixhiku që erdhi me premtimin e transformimit të partisë e rikthimit në maja, po shkon drejt rrugës së shkatërrimit të plotë të saj edhe përfundimisht LDK-ja nën udhëheqjen e tij do të përfundojë si mbetja e një eksperimenti të dështuar.
Por, unë kam veç këtë bekim, ta them të vërtetën e vështirë, kurse Lumir Abdixhiku ka prapa paratë e biznesit, servilët kurrizthyer gojëmjaltë dhe më e rëndësishmja Vetëvendosjen e ka prapa, sepse s’ka investim më të vlefshëm politik për momentin të Vetëvendosjes, sesa Lumir Abdixhikun sërish kryetar të LDK-së.