Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se Gjykata Speciale “do të bëjë obstruksione” ndaj Ligjit për Dhomat e Specializuara, të miratuar në Kuvendin e Kosovës më 6 tetor. Por, sipas Grudës, Kosova mund ta detyrojë Specialen ta zbatojë atë. Siç thotë Gruda, Ligji nuk e shkel Kushtetutën.

“Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë”, thotë ai.

“Ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet. Jam i bindur se në fund Gjykata Speciale do të duhet ta zbatojë atë”, shton.

Sipas Grudës, Ligji në fjalë nuk e shkel Kushtetutën.

“Neni 162, paragrafi 1, përcakton se “organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar rregullohen me këtë nen dhe me ligj të veçantë”, thotë.

“Ndërsa paragrafi 3 përcakton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese vendos mbi referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar “në përputhje me ligjin e veçantë”, shton.

Sipas Grudës, Ligji vendos një kufi ku Dhoma e Specializuar Kushtetuese s’ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij Ligji.

Një gjë e tillë, sipas Grudës do t’i takojë vetëm Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

“Kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053 mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtin”, shkroi Gruda.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuar u miratuan më 88 vota për në Kuvendin e Kosovës të martën e 6 tetorit.