Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve të Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë e re, është tregues se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike, derisa ka kërkuar nga Presidentja Vjosa Osmani që ta caktojë datën e zgjedhjeve të reja sa më parë.

Këto komente, Hamza i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi që edhe i mandatuari i dytë i Vetëvendosjes për Kryeministër, Glauk Konjufca, dështoi që t’i marrë 61 votat e nevojshme për të krijuar Qeverinë e re.

“Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike. Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore”, ka thënë Hamza.

Sot, sipas tij, ka vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja. “Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur”, shtoi.

“Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme”, shtoi.

Koha e fjalëve të mëdha, siç thotë ai, ka përfunduar. “Ka ardhur koha për një qeveri që punon”, përfundoi ai.