Procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve ka përfunduar për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës.
Ky proces është zhvilluar nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe dy hetuesve policorë të caktuar nga Prokuroria e Mitrovicës.
Gjatë verifikimit të votave në Mitrovicë në Qendrën e Numërimit të hënën, janë gjetur fletëvotime me numra serik që nuk i përkasin klasave dhe shkollave ku ato ishin të vendosura.
Pas kësaj, Prokuroria urdhëroi ndërprerjen e numërimit, ndërsa të martën urdhëroi rifillimin e numërimit.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte në garë në Mitrovicë me Vetëvendosjen, kanë thënë se do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për këtë rast, derisa kanë kërkuar që në Mitrovicë të ketë rivotim, për shkak se, siç thonë ata, procesi zgjedhor është cenuar.









