Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, edhe pse doli dyti në garën për kryetar në zgjedhjet e 12 tetorit, ka thënë se “Mitrovica nuk u thye”.  

“Le të presim deri në numërimin edhe të votës së fundit. Një gjë është e qartë: Mitrovica nuk u thye. Interesat në Mitrovicë janë të mëdha, dhe kjo e arriti kulmin e shpërfaqjes dje nga çfarë dhe si u raportua për rezultatin zgjedhor. Por interesi i Mitrovicës dhe qytetarëve të saj është mbi të gjitha, e bashkë me ju do ta mbrojmë dhe përparojmë atë”, shkroi Peci në Facebook.

Peci doli i dyti bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës.

Ai mori 47.80 për qind të votave, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së doli i pari me 47.89 për qind të votave.