Ministri i Jashtëm i Iranit thotë se lideri suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei, është ende gjallë “aq sa di unë”.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ka dhënë një intervistë për NBC News, pasi televizioni izraelit Channel 12, raportoi orën e fundit se Izraeli vlerëson se Khamenei “ka gjasa të jetë vrarë” në sulmet ajrore izraelite kryer sot në koordinim më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur drejtpërdrejt, Araghchi ka thënë gjithashtu se dy komandantë kanë vdekur nga sulmet, por zyrtarë të lartë të regjimit u kanë mbijetuar sulmeve.
“Të gjithë zyrtarët e rangut të lartë janë gjallë,” ka deklaruar ai. “Pra, të gjithë janë në pozicionet e tyre dhe ne po e menaxhojmë këtë situatë, dhe gjithçka është në rregull.”
Këtë të shtunë të 28 shkurtit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Izraelin, kanë sulmuar disa qytete të Iranit, pas bisedimeve të dështuara rreth mospajtimeve për programin bërthamor të Iranit.
Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar me raketa disa qytete të Izraelit dhe disa baza amerikane në Gjirin Persik.









