“Jam vu në shërbim të Republikës së Kosovës domethënë të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë që të shërbej me devotshmëri.” Deklaroi sot kandidati për President Bekim Sejdiu.
Ka diçka thellësisht kontradiktore, gati perverse, në këtë deklarim të njeriut që është propozuar nga Albin Kurti të jetë President i ri i Kosovës.
Të thuash se po e bën për hir të Kosovës, derisa pranon nominimin nga vetë mekanizimi që e ka bllokuar Kosovën, është sikur të pranosh postin e shefit të zjarrfikëseve me propozim të zjarrvënësit më të madh në qytet.
A ka kuptim kjo?
Ju bre zotëri jeni ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa po përzgjidheni nga personi që aktualisht është në shkelje të egër të Kushtetutës që medemek ju keni ndërtuar reputacionin duke e mbrojtur.
Ju po ashtu e dini se po propozoheni nga një person që bashkë me partinë e tij ka mbi 20 shkelje të Kushtetutës.
Pra a e kuptoni që keni një problem të madh moral që gjendet në thelb të situatës suaj.
Ju po dëshironi të na bindni se ujku ju ka caktuar t’i ruani delet nga sulmi i tij?
Çfarë presidenti mund të jeni ju kur nuk keni guxim që akoma pa e marrë postin ta ballafaqoni me shkeljet kushtetuese propozuesin tuaj.
Prandaj, paradoksalisht vetë pranimi juaj për t’u bërë president në këtë situatë iu skualifikon për postin e presidentit në çfarëdo situate.








