Kanidati i PDK-së për Kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka falënderuar mitrovicasit për mbështetjen në zgjedhjet e së dielës.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se është “thellësisht mirënjohës për fushatën dinjitoze, përbashkuese dhe me plot vlera, ashtu siç e meriton Mitrovica”.
“Faleminderit nga zemra për mbështetjen e madhe! Së bashku, pa dallime, ecim bashkë drejt fitores tonë të plotë! Mirënjohës përjetë për besimin tuaj!”, theksoi ai.
Në Mitrovicë është zhvilluar një nga garat më të ashpra në zgjedhjet e së dielës. I pari ka dalë Tahiri i PDK-së me një epërsi të lehtë kundrejt Faton Pecit të VV-së.
Me 100 për qind të votave të numëruara, Tahiri ka marrë 15 mijë e 368 vota apo 47.89 për qind, ndërsa Peci ka grumbulluar 15 mijë e 340 vota apo 47.8 për qind – diferencë prej 28 vota. Me këto rezultate, Tahiri dhe Peci do të përballen në balotazh.
I treti është renditur Gzim Plakolli i LDK-së me 1 mijë e 146 vota apo 3.57 për qind.
Këto janë rezultatet nga qendrat e votimit të rregullt, nuk janë të përfshira ato me kusht dhe ato postë.









