Ky ishte një nga poshtërimet më të mëdha që njeriu i parë i shtetit po ua bënte pamëshirshëm e me arrogancë nxënësve, mësuesve e prindërve të një shkolle, që çdo ditë përballen me sfida elementare, të krijuara si pasojë e një neglizhence të lartë institucionale.
Në vend se të tregonte shembull, të bashkëndiente, të bashkëjetonte me këto telashe e të përpiqej t’i zgjidhte, presidentja zgjodhi interesin familjar dhe personal.
Ishte ky një tregues i qartë se zonja Osmani e kishte braktisur Kosovën dhe po jetonte e shkëputur në një realitet tjetër. Një botë ku privilegjet presidenciale janë të pafundme, ku gjumi bëhet në lagjen më luksoze në vend e në mëngjes të pret eskorta dhe truprojat.
Një realitet plot aroma.
Por, gjërat kanë ndryshuar pak.
Është momenti që zonja Osmani të shkëputet, pa dëshirën e saj, nga ky realitet – nga eskortat e truprojat – dhe të zbresë sërish në realitetin që kundërmon.
Ka nisur tash ta rigjejë Kosovën, për hallet e qytetarëve të së cilës nuk e ngriti zërin.
Sepse në vend se të flasë për ata qindra mijëra që u larguan nga vendi për jetë më të mirë, për mësuesit, mjekët, minatorët, policët e ushtarët që kërkuan paga më të mira, për ata që sfidohen me mungesë barnash, për gazetarët që u intimiduan e u kërcënuan, për demokracinë që u sfidua, zgjodhi t’i shërbejë pushtetit. E këtë e pranoi vetë në fund.
Tash, kur po sheh e po dëgjon më shumë, në çajtore, trotuare e pazare, pyetja në të cilën duhet të përgjigjet zonja Osmani është:
Si çka kundërmon Kosova?








