Komisioni i Pavarur i ka miratuar me gjashtë vota për kërkesën e Policisë së Kosovës për transmetimin eksperimental të “Radio Policia e Kosovës”.
Gjatë mbledhjes së KPM-së, u bë e ditur se transmetimi eksperimental synon informimin e qytetarëve për sigurinë në trafik dhe sigurinë publike.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, Namon Racaj, ka sqaruar se kjo leje nuk nënkupton licencimin e një mediumi të ri, por testimin e mundësive teknike dhe programore përmes formave të reja të transmetimit.
Sipas tij, leja mund të jepet fillimisht për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, ndërsa testimet do të përfshijnë mbulueshmërinë, përmirësimin e sinjalit dhe përmbajtjet që mund të ofrohen.
Ndërkaq, kryesuesi i KPM-së, Besnik Berisha, e ka vlerësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për testimin e lajmërimeve të trafikut përmes radios.
Ai ka rikujtuar se në të kaluarën kishte pasur kritika dhe ankesa nga qytetarët për kalimin automatik të sinjalit dhe ndërrimin e kanaleve gjatë transmetimit të njoftimeve të trafikut.
Berisha ka theksuar se testimet duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë pikërisht kësaj çështjeje, duke e cilësuar atë si temë të diskutuar edhe më herët në KPM.
Kujtojmë që kjo ide ka ngjallur reagim të ashpër publik.
Juristja e mediave, Flutura Kusari të dielën e paralajmëroi një gjë të tillë duke thënë se kjo iniciativë është ndër iniciativat më propoganistike politike.
“Radio Policia apo Radio Propaganda Shtetërore? Jam informuar se Policia e Kosovës po planifikon hapjen e Radio Policisë. Kjo është një nga iniciativat më të mëdha propaganduese politike, me pasoja të pamatshme për indoktrinimin e publikut përmes propagandës shtetërore.Shteti po e hapë median e saj në kundërshtim flagrant me parimet e organizatave ndërkombëtare të cilat janë kundër hapjes së mediave shtetërore. Me aq sa posedoj informacione, Kosova do të bëhet shteti i vetëm në Europë me media shtetërore!” ka shkruar Kusari.









