Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një fotografi me të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentin Donald Trump, bashkë me bashkëshorten e tij, Melania Trump.

Fotografia është realizuar në kuadër të pritjes që Trump u bëri pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Osmani, megjithatë, e ka cilësuar këtë pritje protokollare si një bisedë shumë përmbajtësore.

“Një takim i planifikuar si protokollar me Presidentin Trump u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore. Faleminderit Presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe!”, ka shkruar Osmani në postimin e saj në Facebook, ku edhe ka bashkangjitur foton me familjen Trump.

“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-të, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, ka shtuar e para e Kosovës.