Në një konferencë për media të mbajtur sot, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka dhënë thuajse asnjë përgjigje lidhur me problemet në prodhimin e energjisë elektrike, kushtet e punës në KEK, si dhe për sasinë dhe çmimin e importit.
Kur u pyet për problemet e fundit në KEK, në lidhje me shpenzimet dhe punimet për kthimin në funksion të blloqeve A3, A4 dhe A5, ministrja u kërkoi gazetarëve që për këto çështje t’i drejtohen KEK-ut.
“Faleminderit shumë për pyetjet, por këto janë pyetje që duhet t’i drejtoni KEK-ut. Nuk kam çfarë të shtoj për këtë, faleminderit,” – tha ajo.
E njëjta përgjigje u dha edhe kur u pyet për çmimin dhe sasinë ditore të energjisë së importuar.
“Për informata të sakta, më duhet t’ju referoj te KOSTT, ndërsa për koston, te KEDS apo eventualisht KEK-u, sa i përket humbjeve që realizohen,” – tha Rizvanolli.
Një video ka qarkulluar këto dy ditë nga një faqe në Facebook me emrin “Sindikata e Re e KEK-ut”. Në video shihet një punëtor i KEK-ut duke punuar në kushte të mjerueshme. Ministrja nuk ka informacione për këtë rast dhe, nga sa duket, nuk ka pyetur as për situatën.
“Nuk i kam këto informata – nëse personi është punëtor i KEK-ut apo jo, apo ndonjë informacion tjetër që ka të bëjë me procedurat, veshjen apo pajisjet e punëtorëve në KEK. Ju inkurajoj që për këtë të pyesni KEK-un,” – u shpreh ajo.
Edhe pse nuk ka informacione për problemet aktuale dhe të fundit në sektorin e energjisë, ajo shprehet e bindur se në Kosovë nuk ekziston “mafia energjetike”.
“Mafia energjetike në Ballkan mund të ekzistojë dhe të ketë seli në Beograd, por asnjë institucion i Kosovës nuk ka asnjë raport, lidhje apo kontakt me të – as shoqëror, as afarist dhe asfare. Është absurde ta them, por ata që hedhin akuza nuk kanë asnjë provë për ato që thonë,” – tha Rizvanolli.









