Snezana Paunoviç, Ministre serbe që bëri deklaratë fashiste kundër shqiptarëve të Kosovës, para se të emërohej Ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e një të ashtuquajturi Institucion Farmaceutik i Pejës, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.
Por, siç raporton REL-i, ky institucion, që e ka pasur selinë në Gorazhdec të Pejës, nuk ekziston zyrtarisht që nga viti 2021.
REL ka konstatuar se ai është mbyllur më 7 tetor 2021, me vendim të Qeverisë së Serbisë. Se farmacia nuk ekziston më, e konfirmon po për REL-in edhe gazetari i Radio Gorazhdecit, Damjan Portiç.
Kërkesën për ta fshirë nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e kishte dorëzuar vetë Paunoviç. Por, ajo ka marrë pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u emërua Ministre.
Kjo dëshmohet nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë që vetë Paunoviç i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi. Përgjatë 11 vjetëve në këtë pozitë, Paunoviç ka përfituar rreth 146 mijë euro paga nga buxheti i Serbisë.
Para disa ditësh, në një nga televizionet serbe, Paunoviç tha “po të isha Slobodan Millosheviç, do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”.
Për shkak të kësaj deklarate fashiste, Ministrja serbe u shpall non-grata në Kosovë. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nënshkroi të martën vendimi ku i ndalohet përjetësisht Paunoviç-it hyrja në Kosovë.









