Kur mendohet ushtria, disiplina dhe përgjegjësia janë elementet kryesore. Por kjo nuk ndodh në Kosovë. Ministria e Mbrojtjes ka shpikur vonesën si rregull të ri.

Raporti i Auditimit për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2024 ka konstatuar se, në disa prej rasteve kur bëhej fjalë për furnizime për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka pasur vonesa të theksuara. Dhe kjo jo për faj të operatorëve të kontraktuar, por për faj të vetë ministrisë. Në një rast, për arsye krejtësisht banale, si p.sh. për shkak se një zyrtar ishte në pushim!

Furnizimi me çizme u bë me vonesë prej 44 deri në 55 ditë; me pjesë për kamionë pati vonesë 45 ditë; për disa uniforma për kadetë pati vonesë 13 ditë.

Ndërkohë, për simbolet e FSK-së – emblema dhe grada – vonesa ishte 34 ditë.

Kreu në detyrë i Qeverisë Albin Kurti e ka trajtuar shpesh Forcën e Sigurisë së Kosovës si aset strategjik për marketing politik. Ai krenohej për rritjen e buxhetit dhe furnizimin me armatim, por menaxhimi i dobët duket qartë në raportin e Auditorit – madje edhe për çështje bazike.

Telashe në Ministrinë e Mbrojtjes, në raport me FSK-në, ishin shpërfaqur muaj më parë edhe në tenderët për furnizim me ushqim për ushtarët. Shujta e tyre ditore ishte bërë temë debati edhe në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Komandanti i FSK-së, përmes një letre drejtuar ministrit Ejup Maqedonci, kishte konfirmuar menaxhimin skandaloz me ushqimin.

“Sipas raporteve të fundit (me të cilat jeni edhe ju të njoftuar), në njësitë e FSK-së janë paraqitur shqetësime lidhur me shërbimet me ushqim, konkretisht me kuzhinierë (vonesa të ndryshme dhe ka raste kur nuk paraqiten në punë). Përveç mungesës së personelit të kuzhinave, e cila ndikon në cilësinë e ushqimit dhe problemet me furnizimin me artikuj ushqimorë, kemi edhe probleme sanitare, që përbëjnë rrezik për helmime dhe përhapje infeksionesh te personeli i FSK-së”, thuhej në letrën e komandantit Bashkim Jashari.