Pas dështimit të shtetit për të siguruar uniforma për gjeneratat e reja të Policisë, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga detyra të drejtorit të Prokurimit në këtë institucion. Sipas IPK-së, ndaj të njëjtit janë duke u zhvilluar hetime për disa raste.

“Hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar një hetim paraprak ndaj zyrtarit në fjalë  me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës”, shton.

“Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit hetimor, IPK i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të zyrtarit në fjalë deri në përfundimin e hetimit penal”, thuhet në komunikatë.

Në lidhje me çështjen, sipas IPK-së, është lajmëruar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas Sindikatës së Policisë, tenderët për uniforma kanë dështuar që nga vitit 2021.

Si pasojë e mungesës së uniformave të reja, është shtyrë edhe diplomimi i kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës.

VOX Kosova, më 02 nëntor, ka raportuar se si zyrtareve policore u është kërkuar që t’i dorëzojnë kapelat e uniformës, në mënyrë që ato t’i huazohen gjeneratës së 63-të deri në diplomimin e saj.

Vox Kosova ka siguruar një komunikim të brendshëm, përmes të cilit drejtorëve të drejtorive dhe shefave të njësive u kërkohet që t’i njoftojnë zyrtaret policore femra për këtë kërkesë.