Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar kritika ndaj Ministrit të Arsimit, Hajrulla Çekos, duke e cilësuar si një individ që ndër vite në funksione të ndryshme ka bllokuar procese të rëndësishme.
Ai ka përmendur faktin se vetëm pak ditë para nisjes së procesit mësimor në Kosovë, ende nuk është përmbyllur procesi i subvencionimit për prindërit për blerjen e librave.
“…si ministër i Arsimit, e bllokoi edhe procesin mësimor. 1 shtatori po vjen dhe nuk arriti me ua siguru nxënësve mjetin bazë të mësimit, librat”, ka shkruar Rama.
“Hajrulla Çeku si ministër i Kulturës mbahet mend që e bllokoi krejt Prishtinën jashtëligjshëm, tu e përdorë një draft dokument për trashëgimi kulturore që u bë akt ligjor tek tash më 5 qershor 2026”, shtoi.
Sipas Ramës, Çeko “e la Kosovën edhe pa Teatër Kombëtar”, i cili që katër vjet është në renovim.
“E la krejt Kosovën edhe pa “Muze Kombëtar”, i cili me vite është në renovim, duke i rreziku edhe krejt reliktet aty, të cilat janë vendosë në hapsira joadekuate per ruajtje”, shkroi.
Hajrulla Çeko në Qeverinë Kurti 3, mori pozitën e Ministrit të Arsimit pasi që një mandat kishte udhëhequr me atë të Kulturës.
Rama dhe Çeko kishin pasur një përplasje të ashpër në vitin 2025 në lidhje me projektin për Sheshin “George Bush”. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në atë kohë, i cili është nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës, kishte ndërprerë punimet duke thënë se projekti prekte zonë të mbrojtur dhe se mungonin lejet/pëlqimet e nevojshme.









