Ministri i Policisë i Afrikës së Jugut, Senzo Mchunu, është akuzuar për lidhje me grupe kriminale dhe për ndërhyrje në hetime policore që lidhen me vrasje të motivuara politikisht, raporton “BBC”.
Këto akuza të rënda janë bërë publike nga komandanti i policisë në provincën KwaZulu-Natal, gjenerali Nhlanhla Mkhwanazi, gjatë një konference për shtyp të mbajtur të dielën.
Sipas tij, Mchunu ka marrë mbështetje financiare nga një biznesmen i dyshuar për korrupsion, për të financuar aktivitetet e tij politike.
Mchunu i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si “pretendime të shfrenuara dhe të pabaza”, ndërsa Presidenti Cyril Ramaphosa ka deklaruar se çështja përbën “shqetësim serioz për sigurinë kombëtare” dhe po trajtohet me përparësi maksimale.
Gjenerali Mkhwanazi përshkroi një zinxhir ngjarjesh që, sipas tij, çuan në shuarjen e organizuar të një task-force të krijuar në vitin 2018, e cila kishte për detyrë të hetonte vrasjet e figurave politike, kryesisht në KwaZulu-Natal.
Sipas tij, hetimet e ekipit kishin zbuluar lidhje me figura të profilit të lartë – përfshirë politikanë, zyrtarë policorë dhe biznesmenë – që dyshohet se ishin të përfshirë në një rrjet kriminal të trafikut të drogës. Kjo, sipas tij, ishte arsyeja pse ekipi u shpërbë.
Kur e shpërndau njësinë më herët këtë vit, Mchunu kishte deklaruar se ajo “nuk po sillte vlerë të shtuar për provincën”, edhe pse shumë raste kishin mbetur të pazgjidhura.
Zhdukja e dosjeve dhe ndërhyrja politike
Gjenerali Mkhwanazi pretendon se 121 dosje hetimore janë hequr nga njësia me urdhrin e drejtpërdrejtë të ministrit, pa autorizimin e komisarit të përgjithshëm të policisë në nivel kombëtar, gjeneralit Fannie Masemola.
“Këto dosje ndodhen në selinë qendrore që nga muaji mars, dhe nuk është bërë asnjë punë hetimore mbi to. Pesë prej tyre kishin tashmë urdhra arresti”, deklaroi ai.
Më tej, Mkhwanazi akuzon Mchunun për lidhje me një biznesmen të përfolur, i cili dyshohet se ka mbështetur financiarisht karrierën e tij politike.
Vusimuzi Matlala, biznesmeni në fjalë, kishte një kontratë fitimprurëse me policinë, e cila u anulua menjëherë pasi ai u arrestua në maj për tentativë vrasjeje.
Gjenerali Mkhwanazi ndau me gazetarët kopje të mesazheve dhe një pagesë bankare që pretendohet se u bë nga Matlala për të provuar lidhjen me ministrin.
Komisari i policisë në nivel kombëtar, Gjenerali Masemola, deklaroi se do të adresojë këto akuza më vonë gjatë javës, në një konferencë tjetër ku pritet të shpallë emërimin e udhëheqësit të përkohshëm të inteligjencës kriminale.
Kjo vjen pas arrestimit muajin e kaluar të drejtorit të inteligjencës kriminale, Gjeneralleitnant Dumisani Khumalo, i cili akuzohet për mashtrim dhe korrupsion.
Khumalo dhe gjashtë zyrtarë të tjerë po hetohen për abuzim me fondet e inteligjencës dhe emërime të paligjshme brenda Shërbimit Policor të Afrikës së Jugut (SAPS).









