Me një vit burgim me kusht është dënuar Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga Gjykata Themelore në Prishtinë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018.
Sveçla mungoi në seancën gjyqësore kur u shpall vendimi ndaj tij, raporton Betimi për Drejtësi.
Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj.
Gjykata Themelore e shpalli Svçlën fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në seancën gjyqësore të 2 shtatorit.
Ai u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me rastin e shpalljes fajtor të të akuzuarit për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Gjykata rikualifikoi veprën nga paragrafi 2 në paragrafin 1.
Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, Gjykata mori aktgjykim refuzues.
Prokurori Avni Namani, njoftoi në seancën e 28 gushtit 2026, se organi i akuzës ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.
Sveçla, në bazë të aktakuzës së ndryshuar, më 21 mars 2018, nga ora 12:10, deri më orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit, gjatë mbajtjes së një seance, akuzohej se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.
Sipas organit të akuzës, në disa raste, Sveçla e aktivizuar bombolën e gazit lotsjellës dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa parlajmërim paraprak dhe pa ua dhënë mundësinë personave të pranishëm për t’u larguar.
Gazi irritues, si pasojë, thotë aktakuza, është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.
Në këtë drejtim, Prokurori Namani thoshte se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012.
Organi i akuzës kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës kishte mbetur e pandryshuar.
Bashkë me Sveçlën, po akuzohet edhe Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e VV-së, Drita Millaku.
Në seancën fillestare të këtij rasti, e cila ishte mbajtur më 26 mars 2024, të katër të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm.
Aktakuza ndaj Sveçlës, Pacollit, Zybës dhe Millakut ishte ngritur në vitin 2021.









