Në politikën kosovare ka gënjeshtarë. Ka mashtrues. Ka edhe kriminelë.
Pastaj ka njerëz si Faton Peci, që shkon përtej gjithë këtyre mbiemrave edhe nëse i bëjmë bashkë.
Ky njeri gënjen edhe kur bëhet fjalë për bukën e gojës. I gënjen edhe shifrat e veta.
Me datën 8 korrik, këtë vit, deklaroi se ka thyer rekord në historinë e prodhimit të grurit.
Ja çka thoshte.
“Janë mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë se sa vitin paraprak. Kosova minimalisht ka prodhuar këtë vit mbi 56 milionë euro vlerë të sasisë së grurit dhe mbi 74 mijë hektarë në nivel vendi, që është rekord i ri në sektorin e bujqësisë”.
Pra, po thotë se rekordi është 74 mijë hektarë në nivel vendi dhe 21 mijë hektarë më shumë se vitin paraprak.
Matematikë e thjeshtë: nëse këtë vit janë 21 mijë hektarë më shumë, atëherë 74 mijë minus 21 mijë i bie qe vitin e kaluar kanë qenë 53 mijë hektarë të mbjellë.
Por, vetë Faton Peci, vitin e kaluar, dha shifra krejt tjera kur foli në vitin 2024.
Nëse mendoni se këtu përfundon rrena, atëherë definitivisht nuk e njihni Faton Pecin.
Raporti i Gjelbër është dokumenti zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë me statistika për prodhimtarinë bujqësore, importet, eksportet dhe çmimet.
Raporti bëhet për vitin paraprak dhe nënshkruhet nga vetë Ministri i Bujqësisë.
Dhe, në Raportin e Gjelbër, i nënshkruar nga vetë Faton Peci, me të dhëna për vitin 2022, del se ka pasur 79 mijë e 984 hektarë të mbjellë me grurë.
Pra, më shumë se këtë vit që Peci e cilëson si rekord. Dhe është vit kur Peci ishte vetë ministër.
Por, me gjasë, atëherë akoma nuk e kishte zbuluar popullzimin dhe frikësohej të gënjente pa mbulesë.
Duke parë se ky njeri i gënjen edhe shifrat e veta, u bëra kureshtar për të parë në vitet paraprake dhe të dhënat për ministrat tjerë.
Çka me pa. Të dhënat zyrtar tregojnë se secili Ministër i Bujqësisë ka rekord më të mirë se Peci.
Për shembull:
Sipas të dhënave zyrtare të vetë Ministrisë:
Në kohën kur ishte ministër, Blerand Stavileci, kemi 102 mijë e 918 hektarë të mbjellë në vitin 2012.
Përafërsisht njëjtë në vitin pasues – 101 e 846 hektarë, e 90 mijë hektarë në vitin 2014.
Pra, më shumë se në kohën e Faton Pecit.
Kalojmë te Memli Krasniqi.
Sa ishte ai Ministër, prapë, 89 mijë e 942 hektarë të mbjellë në vitin 2015, e pothuajse njëjtë në vitin 2016.
Pra, më shumë se Faton Peci.
Në kohën e Nenad Rikallos, prapë, janë arritur shifra më të mira se të Faton Pecit.
Mbi 80 mijë hektarë të mbjellë në vitin 2017, e mbi 81 mijë në vitin 2018.
Njëjtë, Ministri Besian Mustafa, kishte shifra mbi 80 mijë hektarë të mbjellë.
Më shumë se Faton Peci.
E njëjta vlen edhe për prodhimin e grurit.
Pothuajse të gjithë ministrat para Pecit kanë shifra më të mira edhe në rendiment.
Në fund të fundit, i vetmi rekord që ka arritur Faton Peci është sasia e rrenave që ua servon qytetarëve.
Dhe e vetmja gjë që ka thyer, nuk është rekordi i grurit, por besimi i publikut.
Kur e shihni këtë nivel të mashtrimit, këtë sasi monstruoze të gënjeshtrës, duhet ta kuptoni që një njeri si ky në pushtet, nuk është veç rrenc, por rrezik nacional.