Nga komentet e militantëve për Kryeprokurorin e ri shihet se në Kosovë kurrë s’ka pas as shqetësim e as kërkesë për drejtësi, po për hakmarrje.

Militantët e kanë parë videon e prokurorit të ri që nuk di të artikulojë as fjali bazike edhe kur përgjigjet në pyetje që moti iu kishin dhënë për t’u përgatitur.

Por nuk po iu intereson. Disa i pash duke shkruar ‘s’ka nevojë me ditë shkrim-lexim me rëndësi me i arrestu hajnat edhe me ua marrë pasurinë”.

Gjithashtu, pash komente që s’ka dert nëse është partiak e nëse është i kontrolluar nga pushteti, me rëndësi t’i burgos hajnat.

Kjo normalisht është çmenduri po këtu çmendurisht është bërë normale të fliten budallaqe të tilla. Si mund të bëjë dikush luftë kundër hajnave, kur është i paintegritet, i padijeshëm e i kontrolluar?

S’mundet.

Por, e kam edhe një lajm për militantin kokëbosh.

Hakmarrja e paramenduar nuk do të ndodhë me këtë Kryeprokuror. Ky është person që ka qenë i kontrolluar më parë nga një pushtet tjetër e tash kontrollohet nga pushteti aktual.

Këtë Vetëvendosja nuk e ka bërë që t’i ndjek hajnat e PDK-së e të LDK-së e të AAK-së.

Vetëvendosja këtë e ka bërë për të mos ndjekur hajnat e Vetëvendosjes.

Qysh nuk kuptoni kaq pak punë?

Ju vërtetë mendoni se Albin Kurtit i intereson t’ia konfiskojë pasurinë ndonjë ish-pushtetari?

Duhet të kuptoni diçka krejt bazike.

Politikanët i korrupton biznesi.

Biznesit i duhet pushteti.

Biznesmenët që kanë korruptuar dikur politikanët e ish-pushteteve, sot i korruptojnë politikanët e Vetëvendosjes.

Kjo është lidhja.

Prandaj, ju e keni parë Albin Kurtin që pasi ua merr votën juve me përralla, i thërret në takim edhe Lumir Abdixhikun edhe Vjosa Osmanin edhe Bedri Hamzën, madje edhe Ramush Haradinajn.

“Nuk është në rregull që një parti e respektuar parlamentare si AAK të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”, thoshte Kurti më 10 korrik.

Mendoni se këta që po i thërret në takime do t’ua konfiskojë pasurinë?

Jooo o miq. Jeni gabim.

Këta të gjithë bashkë do të vazhdojnë të pasurohen. Ju, ne, të gjithë bashkë do të vazhdojmë të varfërohemi e të marrim shërbime në spitale si në këto dhomat këtu.

Normalisht, Albin Kurti do të kujdeset që t’ua mirëmbajë urrejtjen, t’ua mbajë gjallë shpresën e rreme se një ditë do të vijë kur bota do kthejë për mbarë. Kur do ua marrë paratë atyre e t’ua kthejë juve e ju të jetoni të lumtur përgjithmonë.

Do të kujdeset fort që ta ushqejë këtë mjegull, sepse kështu në mjegull ju do.

E që Albin Kurti të rren s’është çudi e madhe. Të kanë rrejt edhe ata para tij e të rren edhe ky. Tragjedia është se ti o militant i lodhun nga pritja për hakmarrje e i mbushur urrejtje nga gjendje personale, ma shumë e do gënjeshtrën e pushtetit se të vërteten që çdo ditë me fakte ta themi ne.