Meditech, kompania e afërt me Vetëvendosjen, ka fituar sërish tender me vlerë mbi 2 milionë euro, duke e çuar kështu numrin e tenderëve, që nga koha kur Albin Kurti ka ardhur në pushtet, në 177.
Tenderi ishte i ndarë në disa lote, ku Meditech u shpall fituese e dy prej tyre në tenderin për furnizim me barna nga LE për nevojat e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

SHSKUK, si autoritet kontraktues, nënshkroi kontratën me Meditech më 13 korrik 2026, për Lotin 1 në vlerë 1 milionë e 323 mijë e 668 euro dhe Lotin 8 me vlerë 702 mijë e 221 euro.

Ky nuk është tenderi i vetëm që Meditech ka fituar gjatë këtij viti. Edhe në qershor fitoi dy tenderë të tjerë nga institucionet publike shëndetësore.
Më 1 qershor 2026, SHSKUK, si autoritet kontraktues, nënshkroi kontratë në vlerë 80 mijë e 848 euro me Meditech-in për furnizim me material nga Hemodializa për SHSKUK.
Tenderi tjetër u dha më 12 qershor 2026, për furnizim me thjerrëza dhe material përcjellës për oftalmo.
Vlera e kontratës ishte 88 mijë e 560 euro dhe autoriteti kontraktues është Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhi Beqiri” Mitrovicë.
Familjen e pronarit të kompanisë Meditech, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kishte vizituar më 5 prill.
Për këtë, Kurti kishte njoftuar në Facebook. Ai tregonte se për festën e Pashkëve e kishte vizituar familjen e Pashk Stakës, babait të Stak Stakës, pronarit të kompanisë Meditech.
Në këtë kompani, Staka është pronari më i madh me 70 për qind të aksioneve.
Më 8 mars 2026, VOX Kosova raportoi se që nga viti 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin, Meditech me bashkëpronar Arianit Jakupin pati fituar plotë 174 tenderë publikë. Tani janë bërë 77.
Vlera e tyre mbi 90 milionë euro.
Këta tenderë u dhanë nga Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe institucionet tjera të rëndësishme publike shëndetësore.
Por, si është e mundur që një kompani të fitojë kaq shumë tenderë?
Arianit Jakupi, njëri nga pronarët e kësaj kompanie, ka mbajtur pozita publike, përfshirë atë të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, të Kryetarit të Odës së Farmacistëve të Kosovës dhe ekspertit të jashtëm të shëndetësisë gjatë kohës edhe kur Ministër ka qenë Arben Vitia.
Madje, hiç më larg se në fillim të vitit 2023, Jakupi kishte qenë pjesë e grupit punues për programet specifike me barna dhe material medicinal nga lista e barnave esenciale për vitin 2023 në cilësinë e ekspertit të jashtëm.
Dhe rezultati dihet. Tenderë për furnizim me barna nga lista esenciale fiton Kompania Meditech.
Pikërisht në vitin 2023, Jakupi i bashkohet kompanisë Meditech dhe atë si bashkëpronar.
Pra, kjo do të thotë se në një periudhë jo të largët, ai ka qenë pjesë e grupit punues për programet specifike me barna nga lista esenciale dhe më pas ka kaluar si bashkëpronar te kompania që fitoi tenderë për furnizim me barna nga lista esenciale.









