Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta dërgojë kërkesën buxhetore drejt Qeverisë për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Ndonëse ende nuk ka shumë të konfirmuar për zgjedhjet e dhjetorit nga ky institucion, një vlerë e ngjashme me ato të 9 shkurtit të këtij viti do ta çojë shumën totale të proceseve zgjedhore në vitin 2025 në 28 milionë euro.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë me dije se për 9 shkurt buxheti i planifikuar ka qenë në vlerë prej 8.7 milionë euro e për ato lokalet në 10.5 milionë.
KQZ ende nuk ka publikuar ndonjë raport përfundimtar që tregon se sa mjete janë shpenzuar nga buxhetet e planifikuara.
“Buxheti i planifikuar nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt, ishte në vlerën e 8.7 milionë Euro. Sipas raporteve të deritashme, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë Euro. Ndërkaq, buxheti i planifikuar për qëllim të organizimit të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025, është në vlerën e mbi 10.5 milionë Euro”, tha Elezi.









