Ish-Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu pas intervistimit disa orësh nga prokurorët specialë në lidhje me çështjen e ambalazhuesve të ujit, para mediave tha se “nuk ka të bëjë asgjë me vendimmarrjen në këtë rast”. Ai, tha se të gjitha veprimet e tij kanë qenë në përputhje me rekomandimet e auditorit.

“Pata mundësinë me e sqaru se për të gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepru në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Auditorit. Nuk ka asnjë vendim që mundet me më ndërlidh mu me këtë proces. Për pretendimin për mosveprim i tërë rasti ka qenë i Audituar nga Zyra Kombëtare e Auditorit dhe ka pasur rekomandime e është vepru në bazë të tyre”, tha Aliu.

“Ka qenë një rast i mirë që pata mundësi ta sqaroj nga fillimi deri në fund të gjithë punën dhe tani jam i lehtësuar”, shton.

Siç edhe raportoi VOX Kosova, avokati i Aliut, Artan Çerkini, konfirmoi se klienti i tij ka qenë i ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

Skandali i Ambalazhuesve të ujit:

Liburn Aliu, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin, zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pallgjeve Lumore, dyshohen se i kishin falur në mënyrë të kundërligjshme borxhin kompanive të ambalazhimit të ujit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.

Në raportimet e kohës, mediumi “Albanian Post”, shkruante se në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Sipas dyshimeve,  Aliu bashkë me Hafizin, krimin e realizonin duke ua ulur borxhet milionëshe kompanive ambalazhuese, në vetëm disa mijëra euro, sipas Prokurorisë, me qëllim përfitimin pasuror për vete apo për të tjerët.

Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria kishte ndërmarrë një aksion bastisjeje në vitin 2024, ku ishte arrestuar Naser Hafizi e ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi.

Më vonë, Prokuroria kishte zgjeruar hetimet edhe ndaj tashmë ish-Ministrit, Liburn Aliu.