Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Naser Hafizit në lidhje me aferën korruptive të ambalazhuesve të ujit. Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Hafizi dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “shpëlarje të parave” si dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Lidhur me rastin ishte intervistuar në gusht të vitit 2026 edhe ish-Ministri, Liburn Aliu. Aktakuzë tjetër është ngritur edhe ndaj I.B për “armëmbajtje pa leje”.
“Sipas aktakuzës, N.H. gjatë viteve 2021-2023., në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, dhe me qëllim që operatorëve ekonomikë të caktuar, ambalazhues të ujit, t’u mundësojë përfitime pasurore të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumën e përgjithshme prej 15.752.486,07 euro”, thuhet në njoftim.
“I pandehuri akuzohet se, nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë në vlerësim të Grupit punues Ministror. Ndërsa, pas pranimit të raportit nga ky grup, N.H operatorët me qëllim të favorizimit i ka selektuar në tri grupe, duke u mundësuar që detyrimet financiare të përcaktoheshin mbi bazën e raportimeve të tyre të paverifikuara”.
Skandali i Ambalazhuesve të ujit:
Liburn Aliu, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin, zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pallgjeve Lumore, dyshohen se i kishin falur në mënyrë të kundërligjshme borxhin kompanive të ambalazhimit të ujit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.
Në raportimet e kohës, mediumi “Albanian Post”, shkruante se në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.
Sipas dyshimeve, Aliu bashkë me Hafizin, krimin e realizonin duke ua ulur borxhet milionëshe kompanive ambalazhuese, në vetëm disa mijëra euro, sipas Prokurorisë, me qëllim përfitimin pasuror për vete apo për të tjerët.
Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria kishte ndërmarrë një aksion bastisjeje në vitin 2024, ku ishte arrestuar Naser Hafizi e ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi.
Më vonë, Prokuroria kishte zgjeruar hetimet edhe ndaj tashmë ish-Ministrit, Liburn Aliu.
Intervistimi i Liburn Aliut:
Më 05 gusht, në cilësinë e të dyshuarit ishte intervistuar edhe ish-Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Pata mundësinë me e sqaru se për të gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepru në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Auditorit. Nuk ka asnjë vendim që mundet me më ndërlidh mu me këtë proces. Për pretendimin për mosveprim i tërë rasti ka qenë i Audituar nga Zyra Kombëtare e Auditorit dhe ka pasur rekomandime e është vepru në bazë të tyre”, kishte thënë Aliu pas intervistimit.









