Dy javë para zgjedhjeve, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka mbajtur mbledhje elektronike ku ka ndarë miliona euro nga buxheti i shtetit.
Në mbledhjen e 21-të, ekzekutivi ndau 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për subvencionimin e linjave ajrore që shërbejnë diasporën.
Ditë më parë, Kurti njoftoi edhe lëshimin e një pakoje shtesash për pensionistë, punëtorë të sektorit privat dhe të tjerë.
Kur mbajti një tubim në Zvicër javën e kaluar, Kurti premtoi se do të kujdeset edhe për cilësinë e ajrit, duke vendosur filtra ndaj pluhurit dhe lëndëve dëmtuese, kur të vijë diaspora.
Diaspora konsiderohet si një bazë e madhe votash për Vetëvendosjen. Kjo parti fitoi mbi 70% të votave të diasporës në zgjedhjet e fundit.
Po ashtu, qeveria ndau mjete buxhetore edhe për disa organizata dhe iniciativa tjera.
Për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës u ndanë 8 mijë euro për pjesëmarrje në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026 në Shangai të Kinës.
Subjekti “Kosova Global Talent Center” përfitoi 70 mijë e 876 euro për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad në Neë York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa, për Shoqatën e Kimistëve të Kosovës u ndanë 3 mijë e 500 euro për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026 në Tashkent të Uzbekistanit.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria aprovoi edhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.









