22 gushti i vitit 2019 ishte një ditë ideale për Albin Kurtin për të shitur moralin e tij të dikurshëm politik. Me shpërndarjen e Kuvendit dhe rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, ai do të deklaronte se: “Republika e Kosovës nuk e përballon dot edhe një qeveri tjetër të madhe që rehaton militantët e kushërinjtë”.

Por, sikur për shumë nga premtimet e tij të mëdha, edhe kjo i përket arkivave. Dhe veprimet e Kurtit kryeministër për herë të tretë e shkelin Kurtin opozitar duke i ngjarë kryeministrave të dikurshëm. Ai tash udhëheq një qeveri me 20 ministra. Qeveria Haradinaj kishte 21 ministra, e ajo e Isa Mustafës 22.

Premtimi i Kurtit për 12 ose 15 ministra për shumë njerëz tingëllonte si fillimi i një epoke të re me qeveri më racionale dhe efikase, e me më pak poste e shpenzime qeveritare.

“Unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës do t’i kem 12 ministri në kabinetin qeveritar”, kurti më 2 dhjetor 2019.

“Jemi dakorduar që në qeverinë e ardhshme te kemi 15 ministri gjithsej”, Kurti më 20 shkurt 2020.

“Nuk do të shkojmë përtej numrit të ministrive që i kemi pasur në pranverën e vitit 2020. Atëherë i kemi pasur 15 ministri, do të synojmë më pak, por jo më shumë”, Albin Kurti më 4 shkurt 2021.

Kur vitin e kaluar provonte kishe të bënte qeverinë, Kurti propozoi 19 ministri dhe e pranoi se e kishte pasur gabim se ka më shumë efikasitet me 12 ministri.

“Çështja e rritjes së numrit të ministrive, unë besoj që do të rritej efikasiteti në bazë të përvojës që kemi. Më duhet ta pranoj, më mirë është që Ministria e Punëve të Brendshme të jetë e ndarë prej Administratës Publike”, Kurti më 27 tetor 2025.

Por, nëse dikur qeveritë e mëdha ishin për kushërinj e militantë, sot për çka janë?

E nëse ia shtojmë secilit ministër nga një zëvendësministër, agjenci vartëse te ministrive, nga 6 këshilltarë politikë për secilin ministër, si edhe stafin teknik – a e përballon dot Republika e Kosovës?