Më pak se një vit pas marrjes së befasishme të pushtetit, presidenti i Sirisë po kurorëzon transformimin e tij nga ish-xhihadist në burrështetas global me një vizitë historike në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëtimi i Ahmed Al-Sharaa-s të hënën, vizita e parë ndonjëherë e një presidenti sirian në Shtëpinë e Bardhë, shënon udhëtimin e tij të 20-të jashtë vendit që prej janarit, kur ai e emëroi veten president të Sirisë dhe vizitën e tij të dytë në Shtetet e Bashkuara pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator në Neë York.

Por ky takim ishte më i rëndësishmi deri më sot. Një përballje dikur e paimagjinueshme midis komandantit të përgjithshëm amerikan dhe një njeriu që dikur kishte luftuar kundër forcave amerikane.

“Ai është një udhëheqës shumë i fortë,” tha presidenti amerikan Donald Trump për gazetarët në Zyrën Ovale pas takimit të së hënës. “Vjen nga një pozicion i vështirë, është një njeri i fortë. Më pëlqen. Shkojmë mirë bashkë… dhe do të bëjmë gjithçka që Siria të ketë sukses.”

Nuk është hera e parë që Trump lavdëron liderin sirian. Në maj, pas një takimi të shkurtër të ndërmjetësuar nga princi saudit Mohammed bin Salman, ai e përshkroi 43-vjeçarin Al-Sharaa si një “djalë të ri e simpatik” me “një të kaluar të fortë”, dhe urdhëroi heqjen e disa prej sanksioneve më të ashpra ndaj Sirisë — një vend që për dekada kishte qenë aleat i palëkundur i armiqve kryesorë të SHBA-së, Rusisë dhe Iranit.

Të hënën, Ëashingtoni zgjati pezullimin e shumicës së sanksioneve edhe për 180 ditë. Megjithatë, masat më të rënda ndaj Damaskut mbeten në fuqi dhe nuk mund të hiqen pa miratimin e Kongresit. Qëllimi kryesor i Al-Sharaa-s në Uashington ishte të shtynte për heqjen e tyre dhe të kërkonte që Trump të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të ndaluar sulmet në territorin sirian dhe për të tërhequr trupat nga jugu i vendit.

Synimi më i gjerë i tij, i reflektuar në turnetë e shumta ndërkombëtare, është të thyejë izolimin e Sirisë – trashëgiminë e regjimit të mëparshëm që e kishte lënë vendin ekonomikisht të rrënuar dhe të lidhur diplomatikisht me një bosht të ngushtë aleatësh.