Gazmend Bytyçi, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u rrah brutalisht nga Policia e Kosovës në protestën e së hënës, ka thënë se nuk mund ta besoj se çfarë ka ndodhur dje, derisa dhunën e policisë ndaj protestuesve ka quajtur “të panevojshme dhe krejt e paarsyeshme”.
Bytyçi ka thënë se nuk e ka sulmuar Policinë, vetëm po kërkon që të miratohet Ligji për Dhomat e Specializuara.
“Unë nuk e sulmova policinë, unë nuk dua ta sulmoj policinë time, unë dua që Kuvendi ta miratojë ligjin për dhomat e specializuara”, shkroi Bytyçi në Facebook.
Ai tha se të hënën ishte në protestë në ditën e 20 të saj dhe se cdo ditë ka qenë aty me gruan, fëmijët dhe me të gjithë ata që “janë në mbrojtje të kauzës tonë të shenjtë”.
“Asnjë natë nuk kam sulmuar, këtë nuk e kam bërë as mbrëmë!”, potencoi ai.
Mbrëmë, ish-ushtari i UÇK-së theksoi se “nuk munda ta besoja çka po ndodhte në vendin tim, në shtetin tim!”. “As sot nuk po mund ta besoj që ndodhi ajo turrje e policisë, krejt e panevojshme dhe krejt e paarsyeshme!”
“Unë jam veç një ushtar i këtij vendi. Kështu kam qenë dhe kështu do të jem”, shtoi.
Edhe si deputet, Bytyçi potencoi se “kam iniciuar ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare. Kam vazhduar e do të vazhdoj të jem aty ku duhet. Gjithmonë në shërbim të vendit!”.
“Unë dua që të ketë institucione që marrin përgjegjësi për t’i vazhduar betejat ligjore e politike që na presin”.
Ai pranoi që edhe të goditet, por kërkoi që ligji të votohet.
“S’ka problem, Hajdeni e mëshoni, ama ligjin votojeni. Nuk ju lëshojmë, keni përgjegjësi për të ardhmen e fëmijëve tanë”.









