“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë me liderë që shikojnë nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara, me dialog të sinqertë dhe jo me teatër”, ka thënë Tammy Bruce, përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Këto komente, Bruce i bëri në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohet raporti i UNMIK-ut për Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi. Ne, si secili prej jush, e dimë se kjo paqe dhe stabilitet kanë rëndësi për të dy vendet dhe për të ardhmen e një Ballkani Perëndimor më të begatë”, pohoi ajo.
Në këtë seancë, Kosova dhe Serbia po përfaqësohen nga kryediplomatët: Glauk Konjufca dhe Marko Gjuriç.
Mesazhi për ta nga përfaqësuesja amerikane ishte i thjeshtë: “Rruga e vetme e qëndrueshme përpara është normalizimi”.
“Presidenti [Donald] Trump dhe populli amerikan po dëgjojnë me kujdes sot që ju të angazhoheni qartë për të punuar dhe përparuar së bashku. Shpresojmë, kryeministër Albin Kurti dhe president Aleksandër Vuçiç, që të dyja palët të ulin tensionet, të shmangin përshkallëzimin dhe të mbeten të angazhuara në tryezën e dialogut”, potencoi ajo.
Jashtë kësaj, Bruce kërkoi mbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.
“Derisa ky Këshill të arrijë marrëveshje për mbylljen e UNMIK-ut, misioni duhet të thjeshtohet më tej, stafi i tij të reduktohet më tej dhe funksionet e mbetura të transferohen zyrtarisht tek institucionet dhe entitetet që jo vetëm janë më të përshtatshme për t’i kryer, por që tashmë po i kryejnë ato. Kur një mision ka përmbushur qëllimin e tij, mandati i tij duhet të përfundojë”, potencoi ajo.








