Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka rikthyer zotimin e tij për të ndërtuar lidhje mes Kosovës dhe SHBA-ve për furnizim me gaz natyror në formë të lëngët, pas editorialit të së Ngarkuarës me Punë në Ambasadën amerikane, Annu Prattipati, e cila bëri thirrje urgjente që Kosova të bashkëpunojë me SHBA-të në sektorin e energjisë.
“Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme”, ka deklaruar Hamza.
Hamza ka nënvizuar përfitimet që një bashkëpunim i tillë do të sillte për Kosovën e të cilat përfshijnë rritjen e sigurisë në energji, investime të reja, ulje e ndotjes së ambientit e çmime më të ulëta të energjisë elektrike.
I pari i PDK-së ka deklaruar po ashtu se për të dhe partinë e tij partneriteti me SHBA-të është një nga shtyllat kryesore të botëkuptimit të tyre politik.









