Fjalët në postimin e tij që shfaqen si një refren i dëgjuar më parë për dialogun Kosovë–Serbi, duket se në realitet, në vete fshehin një rikthim në kohë, në qershor të vitit 2020 kur Specialja publikoi aktakuzën ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
“(Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë të pamenduara, por do të rregulloj përsëri!)”, shkroi ndër të tjera Trump, duke drejtuar gishtin kah Joe Biden i Demokratëve për veprime të pamenduara në raport me Kosovën gjatë mandatit të shkuar.

Këto “vendime budallallëqe” që Trump i përmend, rezulton se lidhen me ngjarjet e qershorit të 2020-ës kur Specialja publikonte aktakuzën e saj gjysmake ndaj dyshes lidere të UÇK-së, duke i ndërprerë kështu Hashim Thaçit në gjysmë rrugën për Uashington.
Disa vjet më vonë, njëri ndër bashkëpunëtorët më të besueshëm të Trumpit, Richard Grenell, do të zbërthente formulën “vicioze” që kishte çuar në këtë zhvillim të papritur.
Ai në një intervistë të dhënë për Donald Trump Junior, djalin e presidentit aktual amerikan, thoshte se “publikimi i aktakuzës asokohe u bë për të penguar nënshkrimin e marrëveshjes historike Kosovë–Serbi” në Uashington.
Grenell akuzonte se i kishte dhënë “në besë” informacione Departamentit të Drejtësisë në SHBA për takimin e planifikuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, por që këto ishin keqpërdorur.
“I thashë Departamentit të Drejtësisë se Thaçi e Vuçiqi ishin pajtuar të zhbënin Specialen”, shtonte Grenell.
Kjo deklaratë do të shkonte më pas në veshin e Jack Smith, i cili publikoi me nguti aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, si dhe pengoi marrëveshjen e planifikuar.
E gjithë kjo, sipas kampit republikan, ishte realizuar e organizuar motive politike nga kundërshtarët, vetëm e vetëm që Trump të mos merrte kreditet për marrëveshjen historike mes Kosovës e Serbisë.
Gjykata në Hagë, aktakuzën ndaj krerëve e publikoi të plotë dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA, të cilat i fitoi pikërisht Joe Biden.
Gjatë mandatit të tij, situata e liderëve në Speciale u përkeqësua skajshmërisht.
“Do ta rregulloj sërish”
Paralajmërimi i të parit të SHBA-ve ndërlidhet sërish me deklaratat e mëhershme të Richard Grenell.
“Presidenti Thaçi sot është në burgun e Hagës sepse Jack Smith e urren Donald Trumpin. Kur të vijë Trumpi në pushtet, do ta lirojë presidentin Thaçi nga burgu”, thoshte Grenell në një sërë intervistash të njëpasnjëshme.
Kjo fjali e Grenell, e përsëritur në disa stacione mediatike, duket se atë kohë paralajmëronte veprime konkrete të administratës Trump në drejtim të Speciales, që konkretizohen me frazën e Trump “do ta rregulloj sërish”.
Por a priten veprime nga Presidenca Amerikane kundrejt Dhomave të Specializuara dhe çfare mund të jenë ato?
Ric Grenell kërkonte ndalimin e fondeve për DHSK-në, gjersa zhbërja totale e saj është parë si ‘mision i pamundur’ nga ekspertët e drejtësisë në Kosovë.
Marrëveshja e Uashingtonit parashihej të nënshkruhej më 27 qershor të 2020-ës.
‘Firma’ e ish-presidentit Thaçi, liderit që kishte negociuar përmbajtjen e saj do të vendosej në dokumentin me zotimet që Kosova dhe Serbia kishin marrë përsipër.

Gjersa po udhëtonte në Uashington, Thaçit i ndalej rruga në gjysmë nga një komunikatë që konsiderohej krejtësisht politike për Thaçin dhe Veselin.
Aty Specialja i akuzonte ata për “të paktën 100 vrasje” të paligjshme dhe njoftonte se aktakuzën e përpiluar e kishte çuar në gjykatë.

Se kjo aktakuzë ishte gjysmake e dëshmoi koha: Ajo u plotësua e ndryshua për tre vjet me radhë.
Gjykimi gjithashtu nisi me një vonesë të paprecedent, më 3 prill të 2023-ës, tre vjet pas publikimit të komunikatës.
Gjatë gjithë kësaj periudhe u refuzua çdo kërkesë për mbrojte në liri e krerëve të UÇK-së.









