Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale të mos marrë vendime të gabuara në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nxisin destabilizimin e Kosovës nga qendra që janë kundër Kosovës.

Kështu ka thënë lideri i Bashkimit Demokratike për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një intervistë të shkurtër për VOX Kosova, kur është pyetur se si do të reflektonte në të ardhmen e Kosovës aktgjykimi për krerët e UÇK-së, aktgjykimi ndaj të cilëve do të shpallet më 16 shtator.

“I takon drejtësisë ndërkombëtare të mos marrë vendim të gabuar. Sepse, çdo vendim i gabuar do të ndikonte dhe do u jepte hapësirë të gjitha forcave anti-Kosovë, anti-shqiptare me qëllim që të destabilizojnë Kosovën dhe tani sërish të akuzohet Kosova për destabizilim jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit”, tha Ahmeti.

Derisa foli në përgjithësi për procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së më Hagë, Ahmeti theksoi se i njëjti devijoi “në një proces politik me dëshmitarë të sajuar, tërësisht të parapërgatitur nga qendra anti-Kosovë, sidomos nga Beogradi dhe Moska”.

Ahmeti uron që vendimi ndaj bashkëluftëtarëve të tij – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – të jetë i drejtë, pra lirues.

“Uroj në gjakftohtësi, drejtësi të të gjithë përfaqësuesve në trupin gjykues që të marrin vendimin e drejtë dhe të shpallin pafajësinë e të pafajshmëve, të atdhetarëve, patriotëve që kanë ba një punë të ndershme kundër gjenocidit serb që ushtrohej në Kosovë”, shtoi ai.

Për ish-Komandanti Suprem të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është e “pakuptimtë të dënosh ata të cilët luftuan për lirinë e popullit të vet dhe t’i barazosh me ata të cilët bën gjenocid të paparë në fund të shekullit XX, duke vrarë njerëz të pafajshëm, gra, pleq fëmijë dhe kanë mbushur tërë kanalet me varreza masive në Serbi”.