Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përkujtuar 27-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një moment kyç në rrugën drejt paqes dhe stabilitetit.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada amerikane ka vlerësuar qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe ka ritheksuar përkushtimin e SHBA-së ndaj vendit.

“Sot njëzet e shtatë vjet më parë, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ndihmuar në hapjen e rrugës për paqe dhe stabilitet. Ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së.

Më 12 qershor 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë pas përfundimit të fushatës ajrore kundër forcave serbe, duke shënuar fillimin e vendosjes së misionit paqeruajtës KFOR dhe një kapitull të ri për Kosovën.