Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut – Ali Ahmeti, ka ashpërsuar gjuhën ndaj Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.

Në konventën promovuese të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), që u mbajt të dielën në arenën në Arenën “Boris Trajkovski” në Shkup, Ahmeti e akuzoi Mickoskin për qasje anti-shqiptare.

“Me zagarë dilet në gjueti për lepuj, por jo për shqiponja. Shqiponjat nuk zihen as me zagarë, as me lakenj e kasnecë, të cilët ti po i stërvitë për të na denigruar neve. Po ta përsëris edhe njëherë: shqiponjat fluturojnë lart në kaltërsi, zagarët ruaj për lepuj”, deklaroi Ahmeti.