Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka theksuar nevojën për stabilitet institucional në vend, duke vlerësuar se Kosova duhet të ketë institucione funksionale për të përfituar nga momentumi aktual i zgjerimit të BE-së dhe mundësitë që ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Mesazhi është dhënë pas takimit ndërmjet Shefes në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, dhe Drejtoreshës për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti.

Përmes një njoftimi, Zyra e BE-së ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën evropiane të vendit.

“Për të përfituar nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së dhe Plani i Rritjes, Kosovës i nevojitet stabilitet institucional”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit, Superti po qëndron për vizitë në Kosovë dhe gjatë së martës do të zhvillojë takime me përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile.

Vizita e saj vjen në një periudhë kur Kosova vazhdon të përballet me ngërç institucional dhe sfida në procesin e konstituimit të institucioneve, ndërsa Bashkimi Evropian po shton thirrjet për funksionalizim të plotë institucional dhe avancim të reformave të nevojshme për integrimin evropian.

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët evropian, duke ofruar edhe mbështetje financiare për zbatimin e reformave.