Ish-presidenti Hashim Thaçi ka dërguar një sërë mesazhesh nga qëndrimi i tij në Hagë, duke folur për raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë dhe përgjegjësinë e lidershipit politik në vend.

“Perëndimi sot po e trajton Kosovën si shtet fëmijëror, jo për nga mosha, por për nga papjekuria vepruese”, ka thënë ai, duke shtuar se besimi ndërkombëtar mund të rikthehet vetëm përmes veprimeve të përgjegjshme.

“Besimi perëndimor mund të rikthehet vetëm me veprime të përgjegjshme. Duhet të punojmë dhe prodhojmë paqe”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka komentuar edhe raportet me aleatët strategjikë, duke thënë se Kosova nuk duhet të gabojë në marrëdhëniet me ta.

“Jemi tepër të vegjël për të bërë gabime kaq të mëdha”, është shprehur ai.

Duke folur për situatën politike në vend, Thaçi ka apeluar për unitet dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

“Do duhej të jenë më të bashkuar, bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, rikthim të raporteve speciale me SHBA-të dhe bashkëpunim më serioz me NATO-n dhe BE-në”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se Kosova duhet të forcojë orientimin perëndimor dhe të mos e reduktojë raportin me aleatët vetëm në momente krize.

“Nuk duhet të mësohemi me mungesën e botës, e as bota me mungesën apo refuzimin e Kosovës”, ka theksuar ai.