Disa qytetarë të kryeqytetit maqedonas, Shkupit, kanë kryer një aksion protestues te zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet, duke vendosur pankarta kundër kësaj partie në xhamat e hyrjes.

Pankartat shfaqin mesazhe si: “Liria nuk shitet”, “Ata ranë, ju përçani”, “Pushteti kalon, dëmi mbetet” e “Mos e shkel gjakun e lirisë”.

Deri më tani nuk dihet se kush ka zhvilluar aksionin në fjalë.

Kohëve të fundit, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po protestojnë me kërkesë që provimi i jurisprudencës për ta të mbahet në gjuhën e tyre amtare, ndryshe nga praktika aktuale, sipas së cilës ai zhvillohet vetëm në maqedonisht..

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka mbështetur protestat në fjalë, ndryshe nga shumë liderë politikë nga të gjitha trevat shqiptare.

Më 9 maj të këtij viti, ai u pa në Kongresin themelues të partisë VLEN, i shoqëruar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili spikatet si politikan me qëndrime nacionaliste.

VLEN, që në zgjedhjet e vitit 2024 garoi si koalicion i disa partive shqiptare – ndër to edhe Lëvizja Vetëvendosje – nuk arriti të fitojë në kampin shqiptar, por megjithatë u bë pjesë e qeverisë përmes një koalicioni me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit.