Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë, ka thënë se vështirësia në formimin e koalicioneve qeverisëse dhe institucioneve është duke e penguar zhvillimin ekonomik të vendit dhe si pasojë, do të ketë më pak mundësi punësimi.
Ai u ka bërë thirrje partive politike për unitet dhe kompromis.
“Unë mund t’u bëj thirrje të gjitha partive politike të bëjnë kompromise. Në pjesën e Evropës prej nga vij unë, kompromisi nuk shihet si dobësi, por si forcë. Kjo situatë po vazhdon prej shumë kohësh dhe mendoj se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të bashkohen dhe të krijojnë një lloj uniteti kombëtar”.
“Siç thashë, kjo po ndodh edhe në vende të tjera evropiane dhe në vende të tjera të botës, por Kosova është më e cenueshme se shumë vende të tjera. Kjo po pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe, si pasojë, do të ketë më pak mundësi punësimi”, ka thënë ai në një intervistë për Ekonomia Online.
Prandaj, ai vlerëson se është e rëndësishme të ecet përpara. “Kosova ka një nga Kushtetutat më moderne në botë”.
“Pra, Kushtetuta nuk është domosdoshmërisht sfida; më tepër sfidë është zbatimi i saj. Megjithatë, ndoshta duhet të ketë një diskutim se si partitë politike mund të bashkëpunojnë në të ardhmen dhe të shqyrtojnë kushtetutën, për të arritur një marrëveshje se si qeveritë mund të formohen më lehtë në të ardhmen”.
Ai tha se është e rëndësishme që politikanët të shohin mundësitë se si Kosova të bëhet anëtare në Bashkimin Evropian.
“Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë politikanët të ulen bashkë dhe të shohin se si Kosova mund të bëhet anëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Siç e dini, Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara drejt anëtarësimit në BE dhe mund të bëhen anëtare brenda pak vitesh. Është e rëndësishme që edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të ndjekin të njëjtën rrugë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Kjo mendon ai se është gjëja më e rëndësishme për Kosovën. “Kjo do të thotë më shumë vende pune, një qeverisje më të qëndrueshme dhe më shumë stabilitet. Në të ardhmen, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe më pas në NATO do të sillte përfitime të mëdha për vendin”, tha Westerlund.









