E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke përmendur disa fusha, por edhe energjinë.
Gjatë deklarimit në Ambasadën Amerikane për nder të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, ajo tha se mundësitë që Kosova të zhvillohet në energji, mbrojtje dhe tregti janë të mëdha.
Andaj, kërkoi që shteti t’i shfrytëzojë ato mundësi.
“Derisa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të thellojë integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare, mundësitë për bashkëpunim, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, tregtisë, investimeve ekonomike dhe energjisë, janë të pakufishme. Bizneset amerikane janë në kërkim të partnerëve të besueshëm, fuqisë punëtore të kualifikuar dhe tregjeve konkurruese. Kosova ka potencialin t’i ofrojë të tria këto”, tha Prattipati.
Ajo madje u bëri thirrje akterëve kosovarë të takohen me disa biznese të pranishme në ngjarje, në mënyrë që të zgjerohet bashkëpunimi.
“Disa prej këtyre bizneseve janë të pranishme sonte këtu, duke prezantuar veprimtarinë dhe punën e tyre. Shpresoj që ta shfrytëzoni praninë e tyre për t’u njohur më nga afër me atë që bëjnë dhe me përfitimet që sjellin si për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe për Kosovën”, deklaroi Prattipati.
Në kremten e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së po marrin pjesë edhe U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.









