Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur mirënjohës ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës që ia kanë uruar ditëlindjen e 58-të tij. Ai ka thënë se mezi pret që t’i falënderojë personalisht “për gjithë mbështetjen që kanë treguar përgjatë këtyre viteve të rënda”.

Këtë mesazh të ish-Presidentit e ka përcjellur Lirim Greiçevci, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës së Thaçit, pas takimit që ka pasur të premten me të.

“Sot e kisha privilegjin që t’ia uroj ditëlindjen personalisht. Më me rëndësi, e informova për mijëra e mijëra urime për ditëlindjen e tij që kam parë në rrjete sociale, ku qytetarët shprehin dëshirën që kjo të jetë ditëlindja e tij e fundit në ambientet e paraburgimit në Hagë”, shkroi Greiçevci në Facebook.

Që nga 5 nëntori i vitit 2020, Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dekalruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.

Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve. Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhet të jepet brenda 90 ditëve – më 19 maj.

Nga ky afat kanë mbetur më pak se 30 ditë. Sipas ligjeve të Speciales, trupi gjykues mund të kërkojë edhe dy muaj kohë nëse brenda 90 ditorëshit fillestar nuk ka marrë një vendim.

Procesi ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.

Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.

Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.

Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.