“BE-ja e mbështet Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e shtëpisë së Kosovës”.

Ky ka qenë mesazhi kryesor që e ka përcjellur Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas vizitës në Kosovë, të mërkurën.

“Mesazhi im për liderët politikë ishte i thjeshtë, partneriteti vjen me përgjegjësi… Kosovës i duhen institucione të forta, të qëndrueshme e funksionale”, tha Costa në një konferencë për media në Prishtinë, pasi që u takua me krerët e shtetit: Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me disa përfaqësues të tjerë të partive opozitare.

Në takimet që pati në Kosovë, Costa ka theksuar se ka inkurajuar të gjithë akterët politikë që “integrimin evropian ta bëjnë prioritet”. “Përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”, shtoi ai.

Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga BE-ja, ku kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Theksoj se normalizimi është thelbësor për të ardhmen evropiane si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Kohët e fundit ka pasur progres të rëndësishëm. Duhet të ndërtojmë mbi të dhe të sigurojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Presidenti i Komisionit Evropian ndër të tjera.