“Serbia duhet të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian”, kanë thënë nga Parlamenti Evropian, derisa i kanë kërkuar që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Përparimi për Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, PE ka thënë se është i mundur “vetëm përmes reformave në sundimin e ligjit dhe forcimit të standardeve demokratike”.

“Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën”, kanë shkruar nga PE në platformën X.

Sa i përket tejkalimit të krizës politike atje, ata thonë se “nevojiten zgjedhje të lira dhe të drejta”.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut në shtator të vitit 2023.

Kurti dhe Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kishin arritur një marrëveshje, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt 2023 dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2023.

Ujdia mes dy vendeve fqinje përmbante 11 nene, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian konsideronin se kanë gjetur zgjidhjen.

Pos tjerash, Kosova kishte pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ishte pajtuar edhe për një status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Serbia në anën tjetër ishte pajtuar që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si tërësi, kishte pranuar njëfarë njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës.

Por, kur kanë kaluar tri vjet nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket askund, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.