Trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian ka kërkuar Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Këto komente, Konjufca i bëri në një prononcim për gazetarë, para fillimit të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtarë të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

“Ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian. Ne jemi gati, si Kosovë, të ecim përpara brenda kësaj kornize të procesit të bazuar në merita”, tha Konjufca.

Por, në të njëjtën kohë, kryediplomati kosovar theksoi se ajo që mendojnë është “çfarë do të thotë ky proces i bazuar në merita për Kosovën është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Le të fillojmë duke plotësuar pyetësorin. Ky është hapi i parë. Pres me padurim rezultate shumë pozitive dhe konkrete”, shtoi ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Konjufca theksoi se Kosova “ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë e angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog, por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë”.